Ndiqni mësimet tuaja FALAS!
Donate

Përfitimet e të studiuarit brenda vendit

HomeBlogPërfitimet e të studiuarit brenda vendit

studime brenda vendit

Të studiuarit brenda vendit apo jashtë është dilema më e madhe e studentëve në të gjithë botën. Të studiuarit jashtë vendit mund t’ju shtojë shumë pikë në CV-në tuaj. Megithatë, nuk është e lehtë të qëndroni larg shtëpisë për një kohë të gjatë. Ja disa nga përfitimet e të studiuarit brenda vendit:

Mundësi ndërveprimi me ndërkombëtarët

Në ditët e sotme është më e thjeshtë se kurrë të ndërveproni me ndërkombëtarët dhe të mësoni gjuhë të huaja në vendin tuaj. Ashtu si vendet e tjera të Europës, Shqipëria ka adaptuar Procesin e Bolonjës në sistemin e saj arsimor. Përpos të tjerave, ka shumë programe që ju ndihmojnë të mësoni gjuhë të huaja dhe të ndërveproni me studentë nga e gjithë bota për të zgjeruar horizontin tuaj dhe për të shijuar atmosferën multikulturore në shtëpinë tuaj.

Mund të gjeni punë shumë lehtë

Në Shqipëri, nuk do ta ndjeni veten të detyruar të studioni jashtë vendit për të gjetur punë në profesionin tuaj. Ky nuk është kriter domosdoshmërisht i nevojshëm për punëdhënësit tanë. Në shumë sektorë, kryesisht në institucionet shtetërore, një diplomë e fituar jashtë vendit mund t’ju sjellë probleme. Ajo mund të mos ju njihet dhe si pasojë, do ju duhet të jepni provime shtesë. Studimi brenda vendit ka përfitimet e veta. Ju nuk keni pse të planifikoni qëndrimin tuaj. Gjithashtu, nuk jeni të detyruar të certifikoheni në gjuhën e nënës për të filluar studimet tuaja. Për këtë arsye, ju mund të fokusoheni plotësisht te studimi i lëndëve pa u shqetësuar për leksikun e gjuhës tuaj. Për më tepër, ju jeni familjar me kulturën dhe zakonet e vendit dhe dini si të reagoni dhe ku të drejtoheni pas çdo situate.

Jeni pranë familjarëve tuaj

Studimi jashtë vendit është vërtet sfidues dhe për disa nuk është zgjedhja më e mirë. Fakti që jeni në një shtet të huaj mund t’ju sjellë probleme me komunikimin me familjarët dhe miqtë tuaj. Për shkak të problematikave të infrastrukturës teknike lokale ose ndryshimit të orarit shpesh mund të mos komunikoni me ta. Disa mund t’i përjetojnë vërtet keq këto ndryshime në fillimet e tyre.

Tarifa studimi më të ulëta

Gjithashtu, tarifat e studimit jashtë vendit janë një element që duhet ta mbani parasysh. Shpesh, tarifat e shkollimit janë mjaft të larta dhe kostoja e jetesës mund të jetë shumë më e lartë nga ajo që jeni mësuar në shtëpi. Nga ana tjetër, do t’ju duhen para shtesë nëse dëshironi të fluturoni drejt vendit tuaj për të vizituar familjarët. Kostot e udhëtimit variojnë nga vendi ku dëshironi të studioni dhe në të shumtën e rasteve, ato janë më të larta.

Mundësi studimi në qytete brenda vendit

Për më tepër, të rrallë janë studentët që njohin çdo qytet të vendit të tyre. Shumë studentë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë vijnë në Tiranë për studime dhe shumë studentë të Tiranës përfundojnë në qytetet të tjera. Ju mund ta shfrytëzoni këtë mundësi për të mësuar më shumë rreth atij qyteti dhe të krijoni një eksperiencë të re.

Së fundmi, të studiuarit jashtë mund të ketë shumë përfitime, por edhe të studiuarit brenda vendit ka avantazhet e veta. Është në dorën tuaj të bëni zgjedhjen që mendoni se është më e mira për ju.

Autor: akademi.al

X

Kyçu

Vendosni të dhënat tuaja

Harruat fjalëkalimin?