Ndiqni mësimet tuaja FALAS!
Donate

Menaxhimi i stresit te studentët

HomeBlogMenaxhimi i stresit te studentët

 

menaxhimi i stresit

Universiteti mund të jetë një periudhë stresuese për shumë studentë. Nëse stresi grumbullohet, mund të ndikojë në shëndetin tuaj mendor, fizik dhe madje edhe notat tuaja. Studentët që luftojnë me stresin, kanë më shumë të ngjarë të futen në depression dhe ankth, kështu që është e rëndësishme të merreni me veten dhe të mësoni ta menaxhoni stresin në mënyrë efektive.

Çfarë e shkakton stresin studentor?

Një student është i angazhuar në shumë aktivitete. Leksionet dhe seminaret, detyrat e kursit, trajnimet dhe punët me kohë të pjesshme, janë të gjitha aktivitete që e dini që do ju ndihmojnë në jetën tuaj shoqërore dhe profesionale, por mund të jenë një burim stresi për ju.

Të qëndruarit larg shtëpisë, të jetuarit në mënyrë të pavarur dhe bërja e miqve të rinj gjithashtu, mund të jetë e vështirë dhe mund të shtojë shqetësimet tuaja.

Ja 10 këshilla kryesore për të menaxhuar stresin:

Flini mjaftueshëm

Studentët nuk flenë mjaftueshëm, qoftë arsyeja e kësaj një festë apo një detyrë kursi që duhet përfundojë brenda afatit të përcaktuar. Fatkeqësisht, të punoni me pak orë gjumë nuk është e shëndetshme për ju. Do të jeni më pak produktivë, gjë që do ta bëjë më të vështirë procesin e të mësuarit. Gjithashtu, shëndeti juaj mendor do të preket dhe nuk do ta keni të thjeshtë të menaxhoni stresin. Sigurohuni që të bëni gjumë të mjaftueshëm.

Provoni të “zhgarravisni”

Vizatimi i vijave të drejtuara mund të jetë një mënyrë efektive për disa njerëz dhe është e lehtë për t’u bërë. Ju mund ta përdorni këtë teknikë për t’ju ndihmuar të qetësoheni në një situatë stresuese dhe të shkëputeni nga çdo gjë që ju shkakton stres.

Bëni ushtrime fizike

Gjeni kohë për t’u marrë me ushtrime fizike. Joga në mëngjes, ecja ose çiklizmi dhe takimi i miqve tuaj në palestër pas orëve të mësimit do ju ndihmojnë shumë, pasi endorfinat e lëshuara gjatë kryerjes së ushtrimeve fizike janë një lehtësues i shkëlqyer i stresit. Bëjeni kryerjen e ushtrimeve fizike pjesë të ritualit tuaj sepse kjo do ju mbajë të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht.

Mësoni teknikat e frymëmarrjes

Kur trupi juaj përjeton një përgjigje ndaj stresit, nuk mund të mendoni aq qartë sa zakonisht. Mënyra më e shpejtë për t’u qetësuar është të praktikoni disa ushtrime frymëmarrjeje. Avantazhi i këtyre ushtrimeve është se ato mund të bëhen pothuajse kudo dhe mund të përdoren për të t’u çliruar nga stresi shumë shpejt. Merrni frymë ngadalë dhe thellë për disa minuta. Ju mund ta bëni këtë përpara, gjatë provimeve, apo në çdo kohë tjetër që ndjeni se jeni të stresuar.

Provoni relaksimin progresiv të muskujve

Stresi mund t’ju ​​bëjë të ndiheni të tensionuar dhe të “plagosur” fizikisht. Relaksimi progresiv i muskujve është një teknikë që përfshin tkurrjen dhe lëshimin e të gjithë muskujve derisa trupi juaj të ndihet plotësisht i qetë. Pas disa praktikave, do të keni mundësi të lëshoni stresin nga trupi juaj shumë shpejt. Kjo teknikë është veçanërisht e dobishme për studentët, pasi mund të përdoret për të kryer gjumë më të thellë, i cili mund të jetë shumë i dobishëm para një testi të rëndësishëm kur e keni të pamundur të flini.

Dëgjoni muzikë

Një mënyrë e dobishme për të larguar stresin është të dëgjoni muzikë. Muzika mund të qetësojë dhe stimulojë mendjen tuaj. Dëgjoni muzikë klasike ndërsa studioni, dëgjoni diçka optimiste për të filluar ditën tuaj në mënyrë pozitive dhe dëgjoni këngë të lehta për t’u çlodhur. Dëgjoni muzikën tuaj të preferuar para provimeve, gjatë studimit, ose ndërsa lëvizni nëpër fakultet për të mbajtur gjendjen tuaj mendore të qetë.

Bëhuni të organizuar

Rrëmuja mund të shkaktojë stres dhe stresi ju bën më pak produktivë. Studentët shpesh jetojnë rrëmujshëm, pa hapësirë ​​të rregullt për të studiuar. Mundohuni të mbani të organizuar të paktën zonën tuaj të studimit në mënyrë që të mos shpërqendroheni. Një hapësirë ​​e rregullt mund të mbajë nivelin e stresit tuaj të ulët dhe do t’ju kursejë kohë të kërkoni libra, një stilolaps, ose çfarëdo tjetër që ju nevojitet. Të mbani të rregullt hapësirën tuaj të punës ju ndihmon të përqendroheni më mirë.

Ushqehuni shëndetshëm

Ajo që ju hani mund të forcojë ose dobësojë fuqinë tuaj të të menduarit. Një dietë e shëndetshme mund të jetë mënyra më e mirë për të çliruar stresin dhe për t’ju ndihmuar të studioni më mirë. Nëse dieta juaj është e ekuilibruar, do të përjetoni më pak ndryshime të humorit.

Kërkoni ndihmë

Nëse po përballeni me një problem në universitet, pavarësisht stresit ose ngarkesës tuaj, kërkoni ndihmë. Në universitet do të gjeni burime të disponueshme nëse keni nevojë për mbështetje. Nëse ngarkesa juaj e punës është problemi, flisni me mësuesit tuaj sa më shpejt të jetë e mundur përpara se t’ju mblidhen shumë detyra për të kryer. Nëse thjesht keni nevojë për dikë që të flisni për shqetësimet tuaja, drejtojuni miqve. Ka të ngjarë që ata po përjetojnë të njëjtat shqetësime si ju. Flisni me njëri-tjetrin mund të jetë e vërtet e dobishme për secilën palë.

Gjeni kohë për të pushuar

Nuk mund të studioni gjatë gjithë kohës dhe është e rëndësishme t’i jepni vetes kohë për t’u çlodhur. Bëni pjesë të rutinës tuaj aktivitete të vogla. Pini një kafe. Shikoni një film. Shkoni për të notuar. Shkoni për drekë te një mik. T’i jepni vetes mundesinë e një pushimi të shkurtër mund t’ju mbajë larg nga stresi.

Stresi nuk ka pse t’ju shkaktojë probleme në universitet nëse mësoni ta menaxhoni atë në mënyrë të zgjuar.

Përshtati: akademi.al
Burimi: collegecures.com

 

X

Kyçu

Vendosni të dhënat tuaja

Harruat fjalëkalimin?